Sahihu i Buhariut — Hadithi 2271
11. Nënkapitulli: Punësimi prej ikindisë deri në mbrëmje
2271. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shembulli i muslimanëve dhe hebrenjve e të krishterëve është sikurse shembulli i një personi që merr ca argatë për t'i kryer një punë brenda një dite, deri në mbrëmje, kundrejt një pagese të caktuar. Kështu, ata punojnë deri në mesditë dhe thonë:
- Nuk kemi nevojë për pagesën që na ke premtuar, andaj po e asgjësojmë punën që kemi bërë.
- Mos veproni kështu! Kryejeni punën deri në fund dhe merreni shpërblimin të plotë, - iu thotë ai.
Por, ata refuzojnë dhe e braktisin.
Pas tyre punëson ca të tjerë dhe u thotë: “Kryejeni punën deri në fund dhe do t'ju paguaj siç u kam premtuar atyre.” Ata punojnë deri në namazin e ikindisë dhe thonë:
- Punën që kemi bërë po e asgjësojmë, andaj, shpërblimin që na ke premtuar, mbaje për vete.
- Kryejeni punën deri në fund, se dita nuk ka edhe shumë, - u thotë ai.
Por, ata refuzojnë.
Pastaj, i punësoi ca të tjerë për ta çuar punën deri në fund. Kështu, këta punojnë deri në perëndimin e diellit dhe e kompletojnë punën e dy grupeve të mëparshme.
Ja, ky është shembulli i tyre dhe hises që kanë përfituar nga kjo dritë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2271
Fjalë të panjohura?