Sahihu i Buhariut — Hadithi 2272

12. Nënkapitulli: Nëse punëtori me pagesë e lë pagën, porse punëdhënësi e investon më tutje dhe shtohet, ose ai që e investon pasurinë e tjetrit e cila rritet më pas

2272. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Tre burra të popujve të kaluar u nisën për rrugë derisa i zuri nata te një shpellë, andaj hynë brenda. Por, papritmas, një gur u rrotullua nga kodra dhe ua mbylli hyrjen e shpellës. Atëherë i thanë njëri tjetrit: “Nga ky shkëmb nuk do të na shpëtojë asgjë, përveç nëse e lusim Allahun me veprat tona të mira.”
Kështu, njëri tha: “O Allah! Prindërit e mi kanë qenë të shtyrë në moshë dhe, në mbrëmje, asnjëherë nuk i kam dhënë qumësht dikujt para tyre. Një ditë u vonova duke kërkuar diçka dhe, kur u ktheva, ata tashmë kishin fjetur. Kur i mola delet dhe ua çova qumështin, i gjeta duke fjetur. Nuk kisha dëshirë t'i jepja për të pirë dikujt tjetër para tyre, andaj qëndrova me enë në dorë, duke i pritur që të zgjoheshin, derisa agoi mëngjesi. Atëherë u zgjuan dhe e pinë qumështin. O Allah! Nëse këtë e kam vepruar duke synuar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo vështirësi!” Shkëmbi lëvizi pak, por jo mjaftueshëm për të dalë.
Tjetri tha: “O Allah! Kisha një vajzë axhe, të cilën e doja më shumë se këdo tjetër, andaj tentova t'i afrohesha pa dëshirën e saj. Ajo më refuzonte, derisa e kaploi një varfëri e rëndë. Kështu, erdhi tek unë dhe ia dhashë njëqind e njëzet dinarë, me kusht që të më lejonte t'i afrohesha
(sikurse burri gruas), e ajo pranoi. Por, kur u shtriva mbi të, më tha: “Nuk të fal nëse ma prish virgjërinë pa kurorë martesore.” U ndjeva në siklet, andaj u largova, edhe pse e doja më së shumti nga të gjitha, sakaq arin ia lashë. O Allah! Nëse këtë e kam vepruar duke synuar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo vështirësi!”
Shkëmbi lëvizi pak, por jo mjaftueshëm për të dalë nga shpella.
I treti tha: “O Allah! Kam pasur disa punëtorë dhe të gjithëve ua kam dhënë pagat, përveç njërit, i cili u largua dhe e la pagën e vet tek unë. Kështu, pagën e tij e investova, saqë u rrit dhe iu shtua pasuria. Pas një kohe, erdhi dhe më tha:
- O rob i Allahut, ma jep pagën që më takon!
- Të gjitha këto që po i sheh janë prej pagës sate: devetë, lopët, delet dhe shërbëtorët, - i thashë.
- O rob i Allahut, mos u tall me mua, - ma ktheu.
- Nuk po tallem aspak, - i thashë.
Kështu, e mori tërë pasurinë dhe nuk la asgjë. O Allah! Nëse këtë e kam vepruar duke synuar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo vështirësi!
Shkëmbi lëvizi dhe iu hap rruga, kështu që ata dolën dhe vazhduan rrugën.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2272

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?