Sahihu i Buhariut — Hadithi 2274

14. Nënkapitulli: Pagesa e komisionarit

Ibn Sirini, Atai, Ibrahimi dhe Haseni nuk e konsideronin problematike pagesën e komisionarit. Ibn Abasi ka thënë: "Nuk prish punë nëse dikush i thotë komisionarit: "Shite këtë rrobë dhe, çfarë të fitosh më shumë se kaq, merre për vete." Ibn Sirini ka thënë: "Nuk prish punë nëse thotë: "Shite këtë produkt me këtë çmim. Nëse fiton më shumë, merre për vete, ose e ndajmë bashkë." Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Muslimanët u qëndrojnë besnikë kushteve që vënë mes vete.”

2274. Nga: Abdullah ibn Abasi

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Mameri, e ky nga Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar të blihen mallrat prej karvanëve para se të arrijnë në treg dhe që vendasi të shesë për jabanxhiun (i cili nuk e njeh tregun vendas).
Tavusi thotë: “E pyeta Ibn Abasin: “Ç'do të thotë: “Vendasi të mos shesë për jabanxhiun”? Ai tha: “Të mos i bëhet komisionar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2274

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?