Sahihu i Buhariut — Hadithi 2289

3. Nënkapitulli: Lejohet transferimi i borxhit të të vdekurit te dikush tjetër

2289. Nga: Seleme ibn Ekvai

Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme ibn Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Po rrinim me Pejgamberin ﷺ, kur sollën një xhenaze dhe thanë:
- Falja namazin e xhenazes!
- “Mos vallë ka ndonjë borxh?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Jo, - i thanë.
- “A ka lënë diçka pas vetes?”
- Jo.
Kështu, Pejgamberi ﷺ ia fali namazin e xhenazes. Më pas sollën një xhenaze tjetër dhe i thanë:
- O i Dërguari i Allahut, falja namazin!
- “A ka ndonjë borxh?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po.
- “A ka lënë pasuri pas vetes?”
- Tre dinarë, - i thanë.
Kështu, Pejgamberi ﷺ ia fali namazin e xhenazes.
Pastaj sollën një xhenaze të tretë dhe i thanë:
- Falja namazin!
- “A ka lënë diçka pas vetes?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Jo, - i thanë.
- “Ka ndonjë borxh?”
- Tre dinarë.
- “Ju faljani namazin shokut tuaj!”
Sakaq ndërhyri Ebu Katadja dhe tha: “Falja namazin, o i Dërguari i Allahut, sepse unë ia shlyej borxhin.”
Kështu, Pejgamberi ﷺ ia fali namazin.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2289

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?