Sahihu i Buhariut — Hadithi 2309

8. Nënkapitulli: Kur dikush autorizon dikë për të dhënë diçka, pa ia caktuar sasinë, e ai jep sipas zakonit të njohur mes njerëzve

2309. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Xhurejxhi, e ky nga Ata ibn Ebu Rebahu dhe të tjerë, të cilët e plotësojnë njëri-tjetrin, por asnjëri nuk e plotëson vetë transmetimin, se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Po udhëtoja me Pejgamberin ﷺ me një deve të lodhur, e cila rrinte në fund të karvanit. Pejgamberi ﷺ kaloi pranë dhe tha:
- “Kush është?”
- Xhabir ibn Abdullahu, - i thashë.
- “Çfarë ke?”
- Jam mbi një deve të lodhur.
- “Ke shkop me vete?”
- Po.
- “Ma jep.”
Kështu, ia dhashë shkopin, sakaq Pejgamberi ﷺ e godiste dhe e ngërmonte devenë. Prej atij vendi tanimë ecte në fillim të karvanit.
- “Shitma!” - tha Pejgamberi ﷺ.
- Po ta fal, o i Dërguari i Allahut.
- “Jo, shitma. Po ta blej për katër dinarë dhe po të lë ta shalosh deri në Medinë”, - më tha Pejgamberi ﷺ
Kur iu afruam Medinës, fillova të ngutem, ndërsa Pejgamberi ﷺ më tha:
- “Për ku?”
- Jam martuar me një grua të ve.
- “Po pse jo me një të virgjër, që ti të dëfrehesh me të dhe ajo me ty?”
- Kur më vdiq babai, m'i la disa vajza, andaj doja të martohesha me një të ve me përvojë (që të përkujdeset për motrat e mia), - i thashë.
- “Aha, kjo qenka arsyeja.”
Kur arritëm në Medinë, Pejgamberi ﷺ i tha Bilalit:
- “O Bilal, paguaja devenë dhe shtoja (paratë).”
Kështu, m'i dha katër dinarë dhe një kirat shtesë1. Ngado që shkoja, e mbaja me vete shtesën që ma kishte dhënë Pejgamberi ﷺ.
Atai thotë: “Ky kirat gjithmonë ndodhej në këllëfin e Xhabir ibn Abdullahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2309

Hadithe të ngjashme: Shiko (25)

Fjalë të panjohura?