Sahihu i Buhariut — Hadithi 2311

10. Nënkapitulli: Nëse i autorizuari shpenzon diçka prej pasurisë së autorizuesit dhe ky i dyti ia miraton, është në rregull, si dhe nëse i huazon dikujt diçka për një afat të caktuar

2311. Nga: Ebu Hurejra

Othman ibn Hejthem Ebu Amri na ka thënë: Na ka treguar Aufi, e ky nga Muhamed ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më autorizoi ta ruaja sadakanë e Ramazanit (fitrit). Kështu, një person kishte ardhur dhe kishte filluar të merrte ushqim (nga sadakaja e fitrit), por unë e zura dhe i thashë:
- Do të të çoj tek i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Jam nevojtar, kam familje dhe jam në gjendje të vështirë, - më tha, andaj e lëshova.
Në mëngjes Pejgamberi ﷺ më tha:
- “O Ebu Hurejre, si u bë puna me atë që e zure mbrëmë?”
- O i Dërguari i Allahut, m'u ankua se është në gjendje të vështirë dhe se ka familje, kështu që e mëshirova dhe e lirova.
- “Dije se të ka gënjyer dhe do të kthehet sërish”, - më tha Pejgamberi ﷺ.
E dija se do të vinte sërish, ngase vetë i Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “... do të kthehet sërish.”
Kështu, fillova ta vëzhgoja. Sërish e gjeta duke marrë ushqim, andaj e zura dhe i thashë:
- Do të të çoj te Pejgamberi ﷺ.
- Më lësho, se jam nevojtar dhe kam familje e nuk do ta përsëris më, - më tha, andaj, nga mëshira, e lëshova.
Në mëngjes Pejgamberi ﷺ më tha:
- “O Ebu Hurejre, si u bë puna me atë që e zure?”
- O i Dërguari i Allahut, m'u ankua se është në gjendje të vështirë dhe se ka familje, andaj e mëshirova dhe e lirova.
- “Dije se të ka gënjyer dhe do të kthehet sërish”, - më tha Pejgamberi ﷺ.
Së treti fillova ta vëzhgoja dhe sërish e gjeta duke marrë ushqim, e zura dhe i thashë:
- Do të të çoj tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ngase kjo është hera e tretë që po thua se nuk do ta përsërisësh, ndërkohë vazhdon ta përsërisësh.
- Më lësho, që të të mësoj diçka me të cilën Allahu do të të bëjë dobi, - më tha ai.
- Çfarë është ajo? - e pyeta.
- Kur të shtrihesh në shtrat, lexoje Ajetin Kursi deri në fund: “Allahu! S'ka të adhuruar të denjë përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” (Bekare, 255) Kështu, do të të ruajë një rojtar i Allahut dhe nuk do të të afrohet asnjë shejtan deri në mëngjes, - më tha ai, andaj e lirova.
Në mëngjes, Pejgamberi ﷺ më tha:
- “Si u bë puna me atë që e zure mbrëmë?”
- O i Dërguari i Allahut, më premtoi se do të më mësonte diçka me të cilën Allahu do të më bëjë dobi, andaj e lirova.
- “Çfarë është ajo?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Më tha: “Kur të shtrihesh në shtrat, lexoje Ajetin Kursi deri në fund: “Allahu! S'ka të adhuruar të denjë përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” Kështu, do të të ruajë një rojtar i Allahut dhe nuk do të të afrohet asnjë shejtan deri në mëngjes.
- “Ta ka thënë të vërtetën, edhe pse është gënjeshtar i madh. A e di, o Ebu Hurejre, se me kë ke folur këto tri net?”
- Jo, - i thashë.
- “Me shejtanin”, - më tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2311

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?