Sahihu i Buhariut — Hadithi 2318
15. Nënkapitulli: Kur autorizuesi i thotë të autorizuarit: "Me të (sadakanë) vepro ashtu siç e sheh më të arsyeshme, ndërsa i autorizuari ia kthen: "Të dëgjova çfarë the."
2318. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Jahja ibn Jahjai më ka thënë: Kam lexuar në prani të Malikut, e ky nga Is'hak ibn Abdullahu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Talhai ishte më i pasuri ndër ensarë, ndërsa pasuria më e dashur e tij ishte kopshti Bejruha, që ndodhej përpara xhamisë. Herë pas here, i Dërguari i Allahut ﷺ hynte në të dhe pinte ujë nga një burim i pastër uji. Kur zbriti ajeti: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni...”, (Ali Imran, 92) Ebu Talhai shkoi dhe i tha Pejgamberit ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut, Allahu në Librin e Tij po thotë: “Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni...” (Ali Imran, 92) Ndërkaq, pasuria ime më e dashur është kopshti Bejruha, pra, po e dhuroj sadaka për hir të Allahut, duke synuar mirësinë dhe shpërblimin tek Allahu. Andaj, o i Dërguari i Allahut, vepro me të si të duash.
- “Të lumtë! Kjo është pasuri fitimprurëse. Kjo është pasuri fitimprurëse. Të dëgjova çfarë the. Unë propozoj t'ua japësh farefisit”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Ashtu do t'ia bëj, o i Dërguari i Allahut, - tha Ebu Talhai dhe ua ndau kopshtin farefisit dhe djemve të xhaxhait të tij.
(Transmetimin e) Jahja ibn Jahjait e fuqizon Ismaili nga Maliku. Po ashtu, Revhu transmeton nga Maliku se e ka përdorur fjalën "rabih (رابح)": fitimprurëse.