Sahihu i Buhariut — Hadithi 2328
8. Nënkapitulli: Dhënia e tokës me qira në këmbim të një përqindjeje produktesh
Kajs Ibn Muslimi transmeton nga Ebu Xhaferi se ka thënë: "Çdo familje e muhaxhirëve në Medinë merrej me mbjelljen e arave në këmbim të një të tretës apo një të katërtës së produkteve. Edhe Aliu, Sad ibn Maliku, Abdullah ibn Mesudi, Omer ibn Abdulazizi, Kasimi, Urve ibn Zubejri, familja e Ebu Bekrit, familja e Omerit, familja e Aliut dhe Ibn Sirini e kanë praktikuar këtë metodë, pra, të dhënies së tokës me qira në këmbim të një pjese produktesh." Abdurrahman ibn Esvedi tregon: "Isha ortak me Abdurrahman ibn Jezidin në punimin e tokës. Omeri bashkëpunonte me njerëzit me kusht që, nëse Omeri e sillte farën për mbjellje, t’i takonte atij gjysma e produkteve, e, nëse ata e sillnin farën, u takonte kaq e kaq." Haseni ka thënë: "Nuk prish punë nëse toka i takon njërit, por e punojnë së bashku dhe produktin e ndajnë mes vete. Kështu mendonte edhe Zuhriu." Haseni ka thënë: "Nuk prish punë nëse pambuku ndahet përgjysmë." Ibrahimi, Ibn Sirini, Atai, Hakemi, Zuhriu dhe Katadja kanë thënë: "Nuk prish punë nëse ia jep dikujt për të të qepur një rrobë, me kusht që rrobaqepësi ta marrë një pjesë të materialit (si pagesë)." Mameri ka thënë: "Nuk prish punë të jepet mjeti udhëtimit (kafsha) me qira për një kohë të caktuar në këmbim të një përqindjeje të caktuar fitimi."
2328. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ua ka lënë hebrenjve Hajberin për shfrytëzim në këmbim të gjysmës së produkteve të frutave dhe të të mbjellave. Grave të veta ua jepte njëqind evsukë: tetëdhjetë me hurma dhe njëzet me elb. Kur Omeri e ndau Hajberin, gratë e Pejgamberit ﷺ i la të zgjidhnin nëse dëshironin tokë dhe çfarë ka në të, apo dëshironin të vazhdonin të merrnin produkte të gatshme. Disa prej tyre zgjodhën tokën, disa të tjera zgjodhën produktet e gatshme. Aishja zgjodhi marrjen e tokës.