Sahihu i Buhariut — Hadithi 2339
18. Nënkapitulli: Sahabët e Pejgamberit ﷺ e ndihmonin njëri-tjetrin duke ia lënë tokën tjetrit për ta punuar, pa kërkuar asgjë në këmbim
2339. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Evzaiu, e ky nga Ebu Nexhashiu, i çrobëruari i Rafi ibn Hadixhit se Rafi ibn Hadixhi transmeton se xhaxhai i tij, Dhuhejr ibn Rafiu, ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ, nga dhembshuria që kishte ndaj nesh, na ndaloi një punë që e praktikonim.”
Thashë: “Atë që i Dërguari i Allahut ﷺ e ka thënë, ajo është e vërteta.”
Dhuhejri vazhdon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më thirri dhe më pyeti: “Çfarë po veproni me arat tuaja?”
- Po i japim me qira në këmbim të prodhimeve të një pjese të tokës ose të disa evsukëve me hurma dhe elb, - i thashë.
- “Mos veproni kështu! Ose mbillni vetë, ose jepuani të tjerëve t'i mbjellin, ose mos i mbillni fare”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Rafiu thotë: “Thashë: “Ashtu do të veprojmë.”