Sahihu i Buhariut — Hadithi 2346
19. Nënkapitulli: Dhënia e tokës me qira në këmbim të arit dhe argjendit
Ibn Abasi ka thënë: "Gjëja më e mirë që po veproni është se tokën batalle po e jepni me qira nga viti në vit."
2346. Nga: Rafi ibn Hadixhi
2346, 2347 - Amër ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Rebia ibn Ebu Abdurrahmani, e ky nga Handhale ibn Kajsi se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Dy xhaxhallarët e mi më kanë treguar se në kohën e Pejgamberit ﷺ e jepnin tokën me qira në këmbim të prodhimeve përreth përrenjve ose të një pjese që pronari e rezervonte për vete. Por, Pejgamberi ﷺ e ndaloi këtë praktikë.
Handhale ibn Kajsi thotë: “E pyeta Rafiun:
- Po me dinarë dhe dërhemë, a lejohet?
- Me dinarë dhe dërhemë nuk prish punë.
Lejthiu ka thënë: “Pra, ndalesa i është drejtuar kësaj praktike (të përmendur në hadithin e Rafiut) dhe, nëse dikush që e kupton mirë hallallin dhe haramin, do ta meditonte mirë këtë çështje, nuk do ta lejonte këtë praktikë, për shkak të rrezikut që i kanoset në të.”