Sahihu i Buhariut — Hadithi 2352
1. Nënkapitulli: Ata që e konsiderojnë dhurimin e ujit sadaka, dhuratë ose si testament të lejuar, qoftë i ndarë apo jo (mes ortakëve)
Othmani transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush po e blen pusin Ruma, që kova e tij të jetë sikurse kova e çdo muslimani (pra, ta lërë vakëf për muslimanët)?” Othmani ishte ai që e bleu.
2352. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën një enë me qumësht nga një dele shtëpiake, që mbahej në oborrin e Enes ibn Malikut, enë kjo e cila ishte përzier me ujë të marrë nga një pus në oborrin e Enesit. I Dërguari i Allahut ﷺ piu dhe, kur e largoi enën nga goja, ndërkohë Ebu Bekri ndodhej në të majtë të tij, kurse një beduin në të djathtë, Omeri, nga frika se do t'ia jepte beduinit, i tha: “Jepja Ebu Bekrit, o i Dërguari i Allahut, e ke pranë!” Por, i Dërguari i Allahut ﷺ ia dha beduinit në të djathtë dhe tha: “Nga e djathta në të djathtë!”