Sahihu i Buhariut — Hadithi 2372
12. Nënkapitulli: Të pirët dhe dhënia ujë bagëtive nga lumi
2372. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Rebia ibn Ebu Abdurrahmani, e ky nga Jezidi, i çrobëruari i Munbeithit, se Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe e pyeti për gjënë e humbur. Pejgamberi ﷺ i tha: “Mbaje në mend mirë qesen dhe lidhësen e saj, pastaj njofto për të ndër njerëz për një vit të tërë. Nëse s'i vjen pronari, bëj ç'të duash me të.”
- Po delja e humbur? - pyeti burri.
- “Ja e merr ti, ja vëllai yt (pronari i saj), ja i mbetet ujkut.”
- E deveja e humbur?
- “Ç'ke ti me të, kur ajo e ka me vete ujin dhe mund të shkojë të pijë e të kullotë, derisa ta gjejë pronari i vet”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.