Sahihu i Buhariut — Hadithi 2388

3. Nënkapitulli: Kthimi i borxheve

Allahu i Madhërishëm thotë: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe vërtet, Allahu dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët!” (Nisa, 58)

2388. Nga: Ebu Dherr Gifariu

Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Shihabi, e ky nga Ameshi, e ky nga Zejd ibn Vehbiu se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha duke ndenjur me Pejgamberin ﷺ, e shikoi Uhudin dhe tha: “Edhe sikur të më shndërrohej i tëri në ar, asnjë dinar nuk do të kisha pasur dëshirë të më mbetej më shumë se tri ditë, përveç dinarit të rezervuar për kthim të borxhit.” Pastaj tha: “Të pasurit kanë më së pakti shpërblim, përveç atij që jep pasuri kështu e ashtu”, - Ebu Shihabi (transmetuesi i këtij hadithi) bëri me duar përpara, djathtas dhe majtas - “por të atillët janë të paktë.” Pastaj më tha:
- “Prit aty ku je”, dhe shkoi më tutje.
Dëgjova një zë dhe doja të shkoja të shikoja, por m'u kujtua se më tha: “Prit derisa të kthehem.”
Kur u kthye, i thashë:
- O i Dërguari i Allahut, zërin që dëgjova?
- “E dëgjove, vallë?”
- Po.
- “Erdhi Xhibrili ﷺ dhe më tha: “Kushdo që vdes prej umetit tënd, duke mos i bërë shirk Allahut, do të hyjë në Xhenet.”
- Edhe nëse bën këtë e atë vepër?
- “Po”, - m'u përgjigj Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2388

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?