Sahihu i Buhariut — Hadithi 2429
4. Nënkapitulli: Nëse pronari i gjësendit të humbur nuk paraqitet për një vit, ajo i mbetet personit që e ka gjetur
2429. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Rebi ibn Ebu Abdurrahmani, e ky nga Jezidi, i çrobëruari i Munbeithit, se Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe e pyeti rreth gjësendeve të humbura, e ai iu përgjigj: “Mbaje në mend mirë qesen dhe lidhësen e saj, pastaj njofto për të ndër njerëz për një vit të tërë. Nëse pronari nuk paraqitet, atëherë bëj ç'të duash me të.”
- Po delja e humbur? - pyeti beduini.
- “Ja e merr ti, ja vëllai yt (pronari i saj), ja i mbetet ujkut.”
- E deveja e humbur?
- “Ç'ke ti me të, kur ajo e ka me vete ujin dhe mund të shkojë të pijë e të kullotë, derisa ta gjejë pronari i vet.”