Sahihu i Buhariut — Hadithi 2483
1. Nënkapitulli: Ortakëria në gjëra ushqimore, fonde të përbashkëta dhe mallra tregtare
A është e lejuar që gjërat që maten e peshohen të ndahen kuturu apo grushte-grushte? Muslimanët nuk e shohin problematike shfrytëzimin e fondeve të përbashkëta, që njëri të shfrytëzojë njërën pjesë, kurse tjetri pjesën tjetër. Kjo vlen edhe për arin dhe argjendin e tubuar kuturu, si dhe për ngrënien e një e më shumë hurmave përnjëherësh (nga një enë e përbashkët).
2483. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Vehb ibn Kejsani se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një ekspeditë në drejtim të bregdetit, me diku treqind burra, në krye të të cilëve e emëroi Ebu Ubejde ibn Xherrahun. U nisëm për rrugë, por, kur arritëm deri diku, na mbaruan rezervat ushqimore. Andaj, Ebu Ubejde urdhëroi të tubohen rezervat e secilit ushtar në një vend, të cilat, përafërsisht, u bënë sa dy bohçe hurma. Çdo ditë na jepte për të ngrënë pak nga pak, derisa edhe kjo rezervë u harxhua, kështu që mbetëm me nga një hurmë në ditë.
Vehb ibn Kejsani e pyeti Xhabirin:
- Po si mund t'ia dilnit vetëm me një hurmë?
- Vetëm pasi u harxhuan të tërat kuptuam sa na kryente punë një hurmë e vetme, - tha Xhabiri.
Pastaj vazhdoi: “Kur arritëm buzë detit, hasëm një balenë sa një kodrinë, nga e cila hëngri tërë ushtria për tetëmbëdhjetë net rresht. Pastaj Ebu Ubejde urdhëroi të vendosen dy eshtra të saj e nën to të kalojë një person hipur mbi deve, për të parë vallë a e zinte a jo (gjë të cilën e bënë, për t'u argëtuar e për t'u dëfryer).”