Sahihu i Buhariut — Hadithi 2501
13. Nënkapitulli: Ortakëria në gjëra ushqimore dhe në gjëra të tjera
Përmendet se, teksa një njeri bënte pazar, një tjetër e nxiti për ta blerë produktin. Atëherë Omeri tha se mes tyre kishte ortakëri.
2501. Nga: Abdullah ibn Hishami
2501, 2502 - Esbeg ibn Feraxhi na ka thënë: Më ka rrëfyer Abdullah ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Seidi, e ky nga Zuhre ibn Mabedi se gjyshi i tij Abdullah ibn Hishami, - i cili e ka parë Pejgamberin ﷺ, - tregon se nëna e tij, Zejnebe bint Humejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e kishte çuar tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i kishte thënë:
- O i Dërguari i Allahut, le të të besatohet ky djalë.
- “Ende është i vogël”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ dhe ia përkëdheli kokën e bëri dua për të.
Zuhre ibn Mabedi tregon se dilte me gjyshin e vet, Abdullah ibn Hishamin, në treg për të blerë ushqim. Kur atë e takonin Ibn Omeri dhe Ibn Zubejri, i thoshin: “Bëhu ortak me ne, sepse Pejgamberi ﷺ ka bërë dua për ty (që të jesh) me bereqet.” Kështu, ai bëhej ortak me ta. Kishte raste kur në tregti fitonte një deve, përfshirë barrën e saj, dhe e dërgonte në shtëpi.