Sahihu i Buhariut — Hadithi 2505

15. Nënkapitulli: Ortakëria në therjen e kurbanit dhe futja e tjetrit në ortakëri pas therjes së kurbanit

2505. Nga: Abdullah ibn Abasi

2505, 2506 - Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e këtij i ka rrëfyer Abdulmelik ibn Xhurejxhi, e ky nga Atai, e ky nga Xhabiri dhe Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij erdhën mëngjesin e ditës së katërt të dhul hixhes (në Mekë), të përgatitur vetëm për haxh, pa umre. Kur arritëm, Pejgamberi ﷺ na urdhëroi ta shndërrojmë në umre dhe të lirohemi prej ihramëve e t'u afrohemi grave tona. Atëherë filloi të përhapej një fjalë. Atai ka thënë: “Xhabiri tha: “E si të shkojmë në Mina, kur tashmë kemi pasur marrëdhënie me gratë tona?” Kur Pejgamberi ﷺ i dëgjoi këto fjalë, u ngrit për të ligjëruar dhe tha: “Kam dëgjuar se disa po thonë kështu e ashtu. Betohem në Allahun se unë jam më vepërmirë dhe më i devotshëm ndaj Allahut se ata. Sikur të mund të kthehesha mbrapa, do të veproja ndryshe: nuk do ta merrja kurbanin me vete. Sikur të mos e kisha kurbanin me vete, do të lirohesha prej ihramëve.”
Suraka ibn Malik ibn Xhushumi u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, kjo vlen vetëm për ne apo përgjithmonë?”
- “Jo, vlen përgjithmonë”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
Kur erdhi Ali ibn Ebu Talibi, - sipas njërit transmetues, - tha: “Kam thënë: “Po hyj në ihram me të njëjtin nijet sikurse i Dërguari i Allahut ﷺ.”

Ndërkaq, sipas transmetuesit tjetër, tha: “Kam thënë: “Po bëj haxh siç ka bërë i Dërguari i Allahut ﷺ.”
Kështu, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi të qëndrojë me ihram, pastaj e futi në ortakëri në therjen e kurbaneve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2505

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?