Sahihu i Buhariut — Hadithi 2560

1. Nënkapitulli: Robi i liruar me pagesë dhe pagimi i kësteve: një këst në vit

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ata robër që gjenden në pushtetin tuaj e që kërkojnë të lirohen me pagesë dhe ju kërkojnë aktlirimin, ua jepni, e, nëse e dini që janë të mirë, jepuni diçka nga pasuria juaj, të cilën ju ka dhuruar Allahu...” (Nur, 33) Revhi transmeton nga Ibn Xhurejxhi: "I thashë Atait: "Nëse e di që robi posedon pasuri, a e kam obligim ta liroj me pagesë?" Ai më tha: "E ke obligim dhe nuk di të jetë ndryshe." Amër ibn Dinari thotë: "I thashë Atait: "E ke transmetuar prej dikujt (apo e the nga vetja)?" Ai m'u përgjigj: "Jo." Pastaj më rrëfeu se Musa ibn Enesi i kishte treguar se Sirini kishte kërkuar prej Enesit ta lironte me pagesë, por ai refuzonte, edhe pse Sirini kishte shumë pasuri. Kështu, shkoi tek Omeri, i cili i tha Enesit: "Liroje me pagesë! Por, ai sërish refuzoi. Atëherë, Omeri e goditi me shkop dhe e lexoi ajetin: “... jepuani aktlirimin, nëse e dini që janë të mirë...” (Nur, 33) Së këndejmi, Enesi e liroi me pagesë."

2560. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Lejthiu na ka thënë: Më ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka thënë Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Berira shkoi t'i kërkojë ndihmë për pagesën e lirimit të saj, së cilës ia kishin kërkuar pesë okë argjend të ndarë në këste për pesë vjet. Aishja donte ta lironte, andaj i tha: “Nëse ua paguaj shumën njëherësh, a do të të shisnin pronarët e tu, e unë pastaj të të liroj dhe të më takojë mua merita e çrobërimit tënd?” Berira shkoi te pronarët e vet dhe ua paraqiti ofertën, por ata thanë: “Jo, përveç nëse na mbetet merita e çrobërimit.”
Aishja tregon: “Shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ia përmenda këtë gjë, e në atë rast ai më tha: “Blije dhe liroje, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit (ndër njerëz) dhe tha: “Ç'është puna e disa njerëzve që vënë kushte që nuk përkojnë me Librin e Allahut? Atij që kushtëzon diçka që nuk përkon me Librin e Allahut, i refuzohet. Dispozitat e Allahut janë më parësore që të respektohen dhe të përmbushen.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2560

Hadithe të ngjashme: Shiko (23)

Fjalë të panjohura?