Sahihu i Buhariut — Hadithi 2565
5. Nënkapitulli: Nëse robi, që ka bërë kontratë për lirim me pagesë, i thotë dikujt: "Më bli dhe më liro!", e pastaj dikush e blen për këtë qëllim
2565. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Nuajmi na ka thënë: Abdulvahid ibn Ejmeni tregon: “Shkova tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe i thashë: “Isha rob tek Utbe ibn Ebu Lehebi. Pas vdekjes së tij më trashëguan bijtë e tij dhe më shitën tek Ibn Ebu Amri, i cili më liroi. Por, bijtë e Utbes ia kushtëzuan meritën e çrobërimit tim.
Aishja tha: “Berira erdhi tek unë, teksa kishte lidhur kontratë për lirim me pagesë, e më tha:
- Më bli dhe më liro.
- Posi, - i thashë.
- Nuk po (pranojnë të) më shesin, përveç nëse merita e çrobërimit tim u mbetet atyre, - më tha ajo.
- Unë nuk kam nevojë për këtë.
Kështu, Pejgamberi ﷺ e dëgjoi këtë, - ose ka thënë: i arriti ky lajm, - dhe e pyeti Aishen. Pasi Aishja ia tregoi ngjarjen, ai tha: “Blije dhe liroje, e ata lëri të kushtëzojnë ç'të duan.”
Kështu, Aishja e bleu dhe e liroi, edhe pse pronarët e saj ia kushtëzuan meritën e çrobërimit të saj. Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Merita e çrobërimit i takon atij që e liron, edhe nëse pronarët (paraprakë) vendosin njëqind kushte.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2565
Fjalë të panjohura?