Sahihu i Buhariut — Hadithi 2586

12. Nënkapitulli: Dhurimi i diçkaje fëmijës

Nuk lejohet që prindi t’u dhurojë diç disa fëmijëve të tij e të mos tregohet i drejtë me të gjithë, por të gjithëve duhet t’u japë njësoj. Mirëpo, edhe nëse i veçon disa kundrejt të tjerëve, nuk i refuzohet. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Tregohuni të drejtë ndaj fëmijëve tuaj kur u dhuroni diçka!” A i lejohet prindit ta rimarrë gjënë e dhuruar? Prindi e shfrytëzon pasurinë e fëmijës së vet, pa e tepruar. Pejgamberi ﷺ ka blerë një deve prej Omerit, të cilën më pas ia kishte dhuruar Ibn Omerit dhe i kishte thënë: “Me të vepro ç’të duash.”

2586. Nga: Numan ibn Beshiri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani dhe Muhamed ibn Numan ibn Beshiri se Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ së bashku me babanë e vet, i cili tha:
- Këtij birit tim i kam dhuruar një shërbëtor.
- “Vallë, të gjithë fëmijëve të tu u ke dhuruar diçka të tillë?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Jo, - iu përgjigj ai.
- “Atëherë ktheje!” - i tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2586

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?