Sahihu i Buhariut — Hadithi 2588

14. Nënkapitulli: Dhurata e burrit ndaj gruas dhe anasjelltas

Ibrahim Nehaiu ka thënë: Kjo gjë është e lejuar. Omer ibn Abdulazizi ka thënë: "Nuk e rimarrin atë që e dhurojnë. Pejgamberi ﷺ u ka kërkuar leje grave të veta për t'u mjekuar në shtëpinë e Aishes." Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e rikthen dhuratën e dhënë është sikurse qeni që e gëlltit vjelljen e vet.” Zuhriu, në lidhje me atë që i thotë bashkëshortes së vet: "Më jep një pjesë ose tërë mehrin tënd, e, pas një kohe të shkurtër e shkurorëzon, ndërsa ajo e kërkon pjesën që ia ka dhënë atij, ka thënë: "Nëse e ka mashtruar, duhet t’ia kthejë, e, nëse ajo ia ka dhënë vullnetarisht, pa kurrfarë mashtrimi prej tij, i lejohet ta marrë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... nëse ato ju falin me dëshirën e vet diçka prej atyre dhuratave...” (Nisa, 4)

2588. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullahu se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberit ﷺ iu rëndua dhe iu ashpërsua sëmundja, u kërkoi leje grave të tij që të mjekohej në shtëpinë time. Ato i dhanë leje. Një ditë, doli duke e mbajtur dy burra për krahësh, ndërsa këmbët e tij i shkonin zvarrë. Qëndronte mes Abasit dhe një burri tjetër.
Ubejdullahu thotë: “I tregova Abdullah ibn Abasit (për këto fjalë të Aishes), e ai më tha: “A e di kush ka qenë burri tjetër, të cilit Aishja nuk ia ka përmendur emrin?” I thashë: “Jo.” Ai tha: “Ka qenë Ali ibn Ebu Talibi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2588

Hadithe të ngjashme: Shiko (15)

Fjalë të panjohura?