Sahihu i Buhariut — Hadithi 2598

18. Nënkapitulli: Nëse dhuron ose premton diçka, por vdes para se t’i arrijë pranuesit të dhuratës

Abide ka thënë: "Nëse të dyja palët vdesin dhe, në momentin kur është nisur dhurata, pranuesi i dhuratës ka qenë gjallë, atëherë ajo u takon trashëgimtarëve të tij. Por, nëse dhurata nuk është nisur ende, u takon trashëgimtarëve të dhuruesit." Haseni ka thënë: "Pa marrë parasysh se cili ka vdekur i pari, dhurata u takon trashëgimtarëve të pranuesit prej momentit që transportuesi e merr dhuratën."

2598. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ibn Munkediri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ më tha: “Nëse na vjen plaçka e Bahrejnit, do të të jap kaq”, - pra, tri grushte dinarë. Por, plaçka e Bahrejnit nuk erdhi deri pas vdekjes së Pejgamberit ﷺ. Atëherë Ebu Bekri dërgoi një tellall të thërrasë: “Atij që Pejgamberi ﷺ i ka premtuar diçka ose i ka pasur borxh, le të vijë këtu. Unë shkova dhe i thashë se Pejgamberi ﷺ më ka premtuar, kështu që m'i derdhi tri grushte (dinarë).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2598

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?