Sahihu i Buhariut — Hadithi 2612
27. Nënkapitulli: Dhurimi i një gjësendi që është i ndaluar të vishet
2612. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi pa një palë rroba të reja prej mëndafshi para derës së xhamisë, andaj i tha Pejgamberit ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut, sikur t'i blije këto e t'i vishje ditën e premte dhe nëpër takime me delegacione?
- “Këto i veshin vetëm ata që nuk kanë hise në botën tjetër”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Pas një kohe, sollën disa palë rrobash prej mëndafshi. I Dërguari i Allahut ﷺ një palë prej tyre ia dërgoi Omer ibn Hatabit. Omeri shkoi e i tha:
- M'i dërgove t'i vesh, ndërkohë për të tilla rroba the fjalë jo të mira.
- “Nuk t'i kam dërguar për t'i veshur ti”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Kështu, Omeri ia dërgoi ato vëllait të vet idhujtar, të cilin e kishte në Mekë.