Sahihu i Buhariut — Hadithi 2618

28. Nënkapitulli: Pranimi i dhuratës nga idhujtarët

Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur Ibrahimi ﷺ emigroi me Sarën, shkuan në një vendbanim ku sundonte një mbret - ose ka thënë: një tiran -, i cili tha: "Jepjani Haxherën.” Pejgamberit ﷺ i është dhuruar një dele, në të cilën ishte hedhur helm." Ebu Humejdi ka thënë: "Mbreti i Ejlës i dhuroi Pejgamberit ﷺ një mushkë të bardhë, ndërsa Pejgamberi ﷺ i dhuroi një xhybe dhe e la edhe më tutje ta udhëheqë vendin e tij."

2618. Nga: Abdurrahman ibn Ebu Bekri

Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Muëtemir ibn Sulejmani, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Othmani se Abdurrahman ibn Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ishim me Pejgamberin ﷺ (në një udhëtim) përafërsisht njëqind e tridhjetë persona. Pejgamberi ﷺ pyeti: “A ka dikush ushqim?” Kështu, një burrë kishte përafërsisht një saë ushqim, të cilin e gatuan. Më pas erdhi një burrë idhujtar flokëshprishur e i gjatë, duke i grahur një kopeje delesh, të cilit Pejgamberi ﷺ i tha:
- “A po na shet apo po na jep?” - ose ka thënë: “... apo po na e dhuron?”
- Jo, po jua shes, - iu përgjigj bariu.
Atëherë Pejgamberi ﷺ bleu prej tij një dele, të cilën e përgatitën dhe urdhëroi që mushkëritë të piqen.
Betohem në Allahun se, nga njëqind e tridhjetë personat, asnjë nuk mbeti pa i ndarë Pejgamberi ﷺ një pjesë nga mushkëritë. Atyre që ishin të pranishëm, ua jepte menjëherë, e atyre që mungonin, ua ruante. Mishin e deles e vendosi në dy tepsi, nga të cilat hëngrën të gjithë dhe u ngopën, madje edhe teproi. Tepricën e morëm me vete në deve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2618

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?