Sahihu i Buhariut — Hadithi 2640

4. Nënkapitulli: Nëse dikush a disa persona dëshmojnë për diçka, por të tjerët thonë se ne nuk dimë asgjë rreth kësaj, merret fjala e dëshmitarëve

Humejdiu ka thënë: "Kjo përkon me dëshminë e Bilalit se Pejgamberi ﷺ është falur në Qabe. Ndërsa Fadli thoshte se nuk është falur aty, por njerëzit i dhanë përparësi dhe e morën dëshminë e Bilalit. Kështu është edhe kur dy dëshmitarë dëshmojnë se filani i ka borxh filanit një mijë dërhemë, ndërsa dy të tjerë dëshmojnë se i ka borxh një mijë e pesëqind dërhemë, atëherë gjykohet në bazë të fjalës së dytë, me të holla shtesë."

2640. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu

Hibani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Omer ibn Seid ibn Ebu Husejni, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Mulejke se Ukbe ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se u martua me njërën nga bijat e Ibn Ihab ibn Azizit. Një grua erdhi dhe i tha: “I kam dhënë gji Ukbes dhe gruas së tij.” Ukbe i tha: “Mua nuk më kujtohet që më ke dhënë gji e as më ke treguar.” Pastaj dërgoi dikë në familjen e Ebu Ihabit, që të pyesë, por ata thanë se nuk u kujtohej se ajo i ka dhënë gji vajzës së tyre. Atëherë i hipi devesë dhe u nis drejt Medinës për ta pyetur Pejgamberin ﷺ rreth kësaj. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “E si pra, përderisa është thënë kështu?” Kështu, ai e shkurorëzoi dhe ajo u martua me dikë tjetër.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2640

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?