Sahihu i Buhariut — Hadithi 2643
6. Nënkapitulli: Sa persona nevojiten që të dëshmojnë për drejtësinë e një burri?
2643. Nga: Omer ibn Hatabi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Davud ibn Ebu Furati, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Burejde se Ebu Esvedi tregon: “Shkova në Medinë në një kohë kur njerëzit i kishte kapluar një sëmundje, nga e cila vdisnin shpejt. Një ditë, teksa po qëndroja me Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), pranë nesh kaloi një xhenaze, të cilën e përmendën për të mirë, e Omeri tha: “Iu obligua.” Pastaj, kaloi një xhenaze tjetër, të cilën po ashtu e lavdëruan, e Omeri sërish tha: “Iu obligua.” Më pas, kaloi xhenazja e tretë dhe njerëzit e përmendën për vepra të liga, e Omeri tha: “Iu obligua.” Unë e pyeta:
- Çfarë iu obligua, o prijës i besimtarëve?
- Thashë ashtu siç ka thënë Pejgamberi ﷺ: “Çdo musliman, për të cilin dëshmojnë katër besimtarë se është i mirë, Allahu do ta fusë në Xhenet.”
- Po tre?, - thamë ne.
- “Edhe tre”, - tha ai.
- Po dy? - thamë.
- “Edhe dy”, - u përgjigj.
Më tutje nuk e pyetëm për një.”