Sahihu i Buhariut — Hadithi 2648
8. Nënkapitulli: Dëshmia e shpifësit, hajdutit dhe zinaqarit
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... mos ua pranoni më kurrë dëshminë; këta janë njerëz ngatërrestarë. Përveç atyre që, pas kësaj, pendohen dhe përmirësohen...” (Nur, 4-5) Omeri i ka dënuar me goditje kamxhiku Ebu Bekreten, Shibël ibn Mabedin dhe Nafiun për shkak të shpifjes ndaj Mugirës. Më pas u kërkoi të pendohen dhe u tha: "Kush pendohet, ia pranoj dëshminë. Abdullah ibn Utbe, Omer ibn Abdulazizi, Seid ibn Xhubejri, Tavusi, Muxhahidi, Shabiu, Ikrime, Zuhriu, Muharib ibn Dithari, Shurejhu dhe Muavi ibn Kurre e kanë lejuar këtë gjë." Ebu Zinadi ka thënë: "Tradita jonë te ne në Medinë është se, shpifësit që pendohet nga fjala që e ka thënë dhe i kërkon falje Zotit të vet, i pranohet dëshmia." Shabiu dhe Katadja kanë thënë: "Nëse pendohet nga fjala që ka thënë, dënohet me goditje kamxhiku dhe pastaj i pranohet dëshmia." Thevriu ka thënë: "Pasi robi të dënohet me goditje kamxhiku dhe të lirohet, i pranohet dëshmia. Nëse i kërkohet të dënuarit të gjykojë për ndonjë çështje, i pranohet gjykimi." Disa njerëz kanë thënë: "Shpifësit nuk i pranohet dëshmia, edhe nëse pendohet." Më pas, të njëjtët thonë: "Kontrata martesore nuk legjitimohet pa dëshminë e dy dëshmitarëve, ndërsa pranohet nëse kryhet me dëshminë e dy të dënuarve. Nëse kontrata lidhet me dëshminë e dy robërve, nuk është legjitime, ndërkaq e kanë pranuar dëshminë e robit, të dënuarit dhe robëreshës për shikimin e hënës së Ramazanit. Si vërtetohet pendimi i shpifësit? Pejgamberi ﷺ e ka dëbuar zinaqarin për një vit, si dhe i ka ndaluar njerëzit t’i flasin Kab ibn Malikut dhe dy shokëve të tij për pesëdhjetë ditë."
2648. Nga: Urve ibn Zubejri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e ky nga Junusi; gjithashtu Lejthiu thotë: Më ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi se Urve ibn Zubejri ka rrëfyer se një grua vodhi diç në Betejën e Çlirimit, kështu që ia sollën të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili urdhëroi t'i pritet dora. Aishja tregon: “Më pas, u pendua dhe u përmirësua, u martua dhe herë pas here vinte tek unë, e unë i përcillja nevojat e saj tek i Dërguari i Allahut ﷺ.”