Sahihu i Buhariut — Hadithi 2649

8. Nënkapitulli: Dëshmia e shpifësit, hajdutit dhe zinaqarit

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... mos ua pranoni më kurrë dëshminë; këta janë njerëz ngatërrestarë. Përveç atyre që, pas kësaj, pendohen dhe përmirësohen...” (Nur, 4-5) Omeri i ka dënuar me goditje kamxhiku Ebu Bekreten, Shibël ibn Mabedin dhe Nafiun për shkak të shpifjes ndaj Mugirës. Më pas u kërkoi të pendohen dhe u tha: "Kush pendohet, ia pranoj dëshminë. Abdullah ibn Utbe, Omer ibn Abdulazizi, Seid ibn Xhubejri, Tavusi, Muxhahidi, Shabiu, Ikrime, Zuhriu, Muharib ibn Dithari, Shurejhu dhe Muavi ibn Kurre e kanë lejuar këtë gjë." Ebu Zinadi ka thënë: "Tradita jonë te ne në Medinë është se, shpifësit që pendohet nga fjala që e ka thënë dhe i kërkon falje Zotit të vet, i pranohet dëshmia." Shabiu dhe Katadja kanë thënë: "Nëse pendohet nga fjala që ka thënë, dënohet me goditje kamxhiku dhe pastaj i pranohet dëshmia." Thevriu ka thënë: "Pasi robi të dënohet me goditje kamxhiku dhe të lirohet, i pranohet dëshmia. Nëse i kërkohet të dënuarit të gjykojë për ndonjë çështje, i pranohet gjykimi." Disa njerëz kanë thënë: "Shpifësit nuk i pranohet dëshmia, edhe nëse pendohet." Më pas, të njëjtët thonë: "Kontrata martesore nuk legjitimohet pa dëshminë e dy dëshmitarëve, ndërsa pranohet nëse kryhet me dëshminë e dy të dënuarve. Nëse kontrata lidhet me dëshminë e dy robërve, nuk është legjitime, ndërkaq e kanë pranuar dëshminë e robit, të dënuarit dhe robëreshës për shikimin e hënës së Ramazanit. Si vërtetohet pendimi i shpifësit? Pejgamberi ﷺ e ka dëbuar zinaqarin për një vit, si dhe i ka ndaluar njerëzit t’i flasin Kab ibn Malikut dhe dy shokëve të tij për pesëdhjetë ditë."

2649. Nga: Zejd ibn Halid Xhuheniu

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka urdhëruar që zinaqari i pamartuar të dënohet me njëqind goditje kamxhiku dhe të dëbohet për një vit.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2649

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?