Sahihu i Buhariut — Hadithi 2654
10. Nënkapitulli: Transmetimet rreth dëshmisë së rrejshme
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm...” (Furkan, 72) Fshehja e dëshmisë, për të cilën Allahu i Lartësuar ka thënë: “Mos e fshihni dëshminë, se, kush e fsheh atë, zemra e tij është mëkatare. Allahu di çdo gjë që ju punoni.” (Bekare, 283) dhe “Nëse ju ngatërroni dëshminë...” (Nisa, 135)
2654. Nga: Ebu Bekrete
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishr ibn Mufadali, e këtij i ka treguar Xhurejriu, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Bekrete se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ pyeti tri herë: “A doni t'ju tregoj për mëkatet më të mëdha?”
- Posi, o i Dërguari i Allahut! - iu përgjigjën të pranishmit.
- “Të bërët shirk Allahut dhe mosrespektimi i prindërve”, - pastaj u ul, pasi ishte i mbështetur, dhe vazhdoi: - “Edhe dëshmia e rrejshme!” - të cilën e përsëriste vazhdimisht, saqë thamë me vete: “Ah, sikur të heshtte (se na vinte rëndë)!”
Ismaili ibn Ibrahimi ka thënë: “Na ka treguar Xhurejriu, e këtij i ka treguar Abdurrahmani.”