Sahihu i Buhariut — Hadithi 2659
13. Nënkapitulli: Dëshmia e robëreshave dhe robërve
Enesi ka thënë: "Robit i pranohet dëshmia, nëse është i drejtë. Shurejhu dhe Zurare ibn Eufa e kanë pranuar dëshminë e robit." Ibn Sirini ka thënë: "Dëshmia e robit pranohet, përveç kur dëshmon për zotërinë e vet. Haseni dhe Ibrahimi e kanë pranuar dëshminë e robit për gjëra të thjeshta dhe të vogla." Shurejhu ka thënë: "Të gjithë jeni bijtë e robërve dhe robëreshave."
2659. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu
Ebu Asimi transmeton nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke, e ky nga Ukbe ibn Harithi. [t]: Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e ky e ka dëgjuar Ibn Ebu Mulejken se Ukbe ibn Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se u martua me Umu Jahjain, të bijën e Ebu Ihabit. Por, një robëreshë zezake erdhi dhe tha: “Unë ju kam dhënë gji juve të dyve.” Kur ia përmenda Pejgamberit ﷺ, ai më anashkaloi. Pastaj sërish iu afrova dhe ia përmenda, e në atë rast ai më tha: “E si pra, ndërkohë që ajo po pretendon se ju ka dhënë gji?”
Kështu, e ndaloi prej bashkëshortes së vet.