Sahihu i Buhariut — Hadithi 2664
18. Nënkapitulli: Puberteti dhe dëshmia e fëmijëve
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kur fëmijët tuaj të arrijnë moshën e pubertetit, le të kërkojnë leje (për të hyrë në dhomat tuaja të pushimit)...” (Nur, 59) Mugire ka thënë: "Kam hyrë në pubertet në moshën dymbëdhjetëvjeçare. Menstruacionet janë shenjë e pubertetit të femrave." Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Nëse dyshoni për ato gra tuajat, të cilave u janë ndërprerë menstruacionet, mësoni se koha e tyre e pritjes është tre muaj. Njësoj është edhe për ato që nuk u kanë ardhur ende menstruacionet. Ndërkaq, për gratë shtatzëna, afati i tyre është deri në lindjen e fëmijës...” (Talak, 4) Hasen ibn Salihu ka thënë: Kam mbërritur një fqinje tonën, e cila ishte bërë gjyshe në moshën njëzetenjëvjeçare.
2664. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ubejdullah ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Iu paraqita të Dërguarit të Allahut ﷺ për Luftën e Uhudit kur isha në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, por Pejgamberi ﷺ më refuzoi. Më pas iu paraqita vullnetar edhe në Luftën e Hendekut, kur i kisha mbushur pesëmbëdhjetë vjet, e atëherë Pejgamberi ﷺ më pranoi.
Nafiu thotë: “Shkova tek Omer ibn Abdulazizi, në kohën kur ishte halife, dhe ia rrëfeva këtë hadith, i cili në atë rast tha: “Ky është kufiri mes të miturit dhe të rriturit.” Pastaj u shkroi nënpunësve të vet që t'i rezervojnë vend në ushtri secilit që e ka arritur moshën pesëmbëdhjetëvjeçare.”