Sahihu i Buhariut — Hadithi 2666

19. Nënkapitulli: Pyetja e gjykatësit drejtuar atij që sjellë një akuzë: "A ke dëshmi?, para se ta kërkojë betimin e të akuzuarit."

2666. Nga: Abdullah ibn Mesudi

2666, 2667 - Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Muaviu, e ky nga Ameshi, e ky nga Shekiku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që betohet rrejshëm në Allahun, në mënyrë që ta përvetësojë pasurinë e një muslimani, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.”
Eshath ibn Kajsi ka thënë: “Ajeti (që përmendet në fund të ngjarjes) ka zbritur për mua. Kam pasur një tokë në ortakëri me një hebre, por ai mohonte ortakërinë time. Andaj, e paraqita tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili më tha: “Vallë, a ke dëshmi (që vërtetojnë ortakërinë tënde me të)?”
- Jo, - i thashë.
- “Betohu (se ti ke të drejtë)!” - iu drejtua hebreut.
- O i Dërguari i Allahut, por, ai do të betohet, e do të ma marrë pasurinë! - i thashë.
Atëherë Allahu i Madhërishëm e zbriti ajetin: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, as do t'i shikojë në Ditën e Kiametit e as do t'i pastrojë prej gjynaheve, e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)

Referenca: Sahihu i Buhariut 2666

Hadithe të ngjashme: Shiko (22)

Fjalë të panjohura?