Sahihu i Buhariut — Hadithi 2678
26. Nënkapitulli: Si i kërkohet dikujt të betohet?
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata ju betohen në Allahun...” (Teube, 62), dhe: “... e të vijnë te ti, duke u betuar në Allahun e duke thënë: "Ne kemi dashur vetëm të bëjmë mirësi dhe pajtim?!” (Nisa, 62) Për betim përdoren shprehjet: bilahi, tallahi dhe vallahi. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “... dhe një person që betohet në Allahun rrejshëm pas ikindisë.” Nuk lejohet betimi në diçka tjetër pos Allahut.
2678. Nga: Talha ibn Ubejdullahu
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga xhaxhai i tij Ebu Suhejli, e ky nga babai i tij se Talha ibn Ubejdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe filloi ta pyeste rreth Islamit. Pejgamberi ﷺ i tha:
- “Ke obligim pesë namaze gjatë ditës dhe natës.”
- A kam obligim diçka përveç kësaj? - tha ai.
- “Jo, përveç nëse do të shtosh namaze vullnetare. Ke obligim edhe agjërimin e muajit Ramazan”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
- A kam obligim diçka përveç kësaj? - tha burri.
- “Jo, përveç nëse agjëron vullnetarisht”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ ia përmendi edhe zekatin. Burri në fjalë sërish pyeti:
- Përveç tij, a detyrohem diçka tjetër?
- “Jo, përveç nëse dhuron lëmoshë vullnetarisht”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Në fund, burri u largua duke thënë: “Betohem në Allahun se, as do të shtoj, as do të pakësoj diçka nga kjo.”
Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Do të shpëtojë, nëse e ka përnjëmend.”