Sahihu i Buhariut — Hadithi 2688
30. Nënkapitulli: Hedhja short në rast të paraqitjes së ndërlikimeve
Allahu i Lartësuar ka thënë: “... kur ata hodhën short që kush prej tyre do të merrte nën kujdes Merjemen...” (Ali Imran, 44) Ibn Abasi, duke komentuar këtë ajet, ka thënë: "Hodhën short dhe lapsat lundruan me rrjedhën, ndërsa lapsi i Zekerijait qëndroi sipër rrjedhës dhe kështu u vendos që Zekerijai ta marrë nën përkujdesje Merjemen." Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Junusi) Hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej) dhe atij i ra shorti.” (Safat, 141) Ebu Hurejra ka thënë: "Pejgamberi ﷺ i kërkoi një grupi njerëzish të betohen dhe ata nxituan, kështu që, urdhëroi të hidhet short mes tyre se cili të betohet."
2688. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ synonte ndonjë udhëtim, hidhte short ndër gratë e tij dhe, asaj që i binte shorti, e merrte me vete.
Secilës grua ia kushtonte një ditë e një natë, përveç Sevdë bint Zemës, e cila (në pleqërinë e saj) vullnetarisht ia kishte dhuruar ditën dhe natën e vet Aishes, gruas së Pejgamberit ﷺ, sepse kështu synonte të kënaqte të Dërguarin e Allahut ﷺ.