Sahihu i Buhariut — Hadithi 2690

1. Nënkapitulli: Transmetimet rreth pajtimit mes njerëzve

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo pajtim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.” (Nisa, 114) Shkuarja e imamit në ndonjë vend të caktuar për t’i pajtuar njerëzit.

2690. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se disa pjesëtarë të fisit të Amër ibn Aufit kishin një zënkë mes vete, andaj Pejgamberi ﷺ shkoi së bashku me disa shokë të vet për t'i pajtuar ata. Në anën tjetër, u afrua koha e namazit, por Pejgamberi ﷺ ende nuk kishte ardhur. Kështu, Bilali e thirri ezanin për namaz, ndërsa Pejgamberi ﷺ s'kishte ardhur akoma. Kështu, Bilali shkoi tek Ebu Bekri dhe i tha:
- Pejgamberi ﷺ u vonua, ndërkohë koha e namazit tashmë ka hyrë, andaj a po u prin njerëzve në namaz?
- Po, nëse do, - tha Ebu Bekri.
Bilali e thirri ikametin dhe Ebu Bekri doli përpara për t'ua falur namazin. Ndërkohë, Pejgamberi ﷺ erdhi dhe vazhdoi të ecë nëpërmjet safave derisa arriti në të parin. Njerëzit filluan ta lajmëronin Ebu Bekrin, duke u rënë shuplakave, por ai zor se shpërqendrohej në namaz. Për një moment, ai shikoi dhe e pa Pejgamberin ﷺ mbrapa, i cili ia bëri me shenjë për të vazhduar namazin ashtu si ishte. Ebu Bekri i çoi duart dhe e falënderoi Allahun (për atë që Pejgamberi ﷺ e urdhëroi), pastaj u tërhoq mbrapa, derisa u rreshtua në saf. Pejgamberi ﷺ kaloi përpara dhe, pasi ua fali namazin, tha:
- “O njerëz! Kur po dyshoni në namazin e imamit, po u bini shuplakave? Rrahja e shuplakave është për gratë. Nëse dikush dyshon diçka në namazin e imamit, le të thotë “subhanallah”, sepse kushdo që e dëgjon, ia tërheq vëmendjen. O Ebu Bekër! Çfarë të pengoi të vazhdoje t'ua falje njerëzve namazin pasi të urdhërova?”
- Nuk i takon të birit të Ebu Kuhafës t'i prijë Pejgamberit ﷺ në namaz, - tha Ebu Bekri.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2690

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?