Sahihu i Buhariut — Hadithi 2700
7. Nënkapitulli: Marrëveshja për armëpushim me idhujtarët
Auf ibn Maliku transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pastaj do të ketë pajtim mes jush dhe benu esferëve (romakëve).” Këtë e kanë transmetuar edhe Sehl ibn Hunejfi, Esma dhe Misveri nga Pejgamberi ﷺ.
2700. Nga: Bera ibn Azibi
Musa ibn Mesudi na ka thënë: Na ka treguar Sufjan ibn Seidi, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Hudejbijes Pejgamberi ﷺ lidhi pakt me idhujtarët për tri gjëra:
1. Nëse ndonjë idhujtar donte t'i bashkohej, t'ua kthente;
2. Nëse ndonjë musliman donte t'u bashkohej atyre (idhujtarëve), të mos e kthenin; dhe
3. Të hynte në Mekë vitin e ardhshëm e të qëndronte vetëm tri ditë, i çarmatosur: pra, vetëm me armë në këllëf: shpatë, shigjetë ose diç të tillë. Ebu Xhendeli kishte ardhur i lidhur me pranga, duke ecur me hapa të vegjël, por Pejgamberi ﷺ ua kishte kthyer prapa.
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Muemeli, në transmetimin e tij nga Sufjani, nuk e ka përmendur Ebu Xhendelin, si dhe ka thënë: “Përveç me armë në këllëf.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 2700
Fjalë të panjohura?