Sahihu i Buhariut — Hadithi 2711
1. Nënkapitulli: Kushtëzimet e lejuara në Islam, në dispozita dhe besëlidhje
2711. Nga: Misver ibn Mahremi
2711, 2712 - Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Mervani dhe Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregojnë rreth shokëve të të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe thonë: “Kur Suhejl ibn Amri e shkroi marrëveshjen me Pejgamberin ﷺ (në Hudejbije), nuk pranoi tjetër veçse të kushtëzonte që Pejgamberi ﷺ të kthente çdo kurejsh që do t'i shkonte atij, edhe po të ishte musliman, dhe të mos ndërhynte mes tyre. Besimtarët nuk e donin këtë gjë, e cila i rëndoi shumë, por Suhejli nuk pranonte ndryshe. Kështu, Pejgamberi ﷺ lidhi marrëveshjen me të, me kushtet në fjalë. Atëkohë, ai u detyrua ta kthente Ebu Xhendelin te babai i vet, Suhejl ibn Amri. Gjatë kësaj periudhe, çdokush që vente te Pejgamberi ﷺ, edhe nëse ishte musliman, ai e kthente prapa.
Edhe besimtaret erdhën duke bërë hixhret, në mesin e të cilave ishte edhe Umu Kulthum bint Ukbe ibn Ebu Muajti, e cila atëkohë ishte vajzë e re. Familja e saj erdhën dhe kërkuan prej të Dërguarit të Allahut ﷺ t'ua kthente, por nuk ua ktheu, për shkak të ajetit që kishte zbritur: “... kur ju vijnë besimtaret të mërguara, provoni (besimin) tek ato. Allahu e di më mirë besimin e tyre. Nëse bindeni se ato janë besimtare, mos i ktheni te jobesimtarët. Ato nuk janë (bashkëshorte) të ligjshme për ta e as ata nuk janë (bashkëshortë) të ligjshëm për to...” (Mumtehine, 10)
Referenca: Sahihu i Buhariut 2711
Fjalë të panjohura?