Sahihu i Buhariut — Hadithi 2735
17. Nënkapitulli: Robi i liruar me kusht që të paguajë një sasi të caktuar parash dhe kushtëzimet e ndaluara, të cilat bien ndesh me Librin e Allahut
Xhabir ibn Abdullahu, në lidhje me robin e liruar me pagesë, ka thënë: "Ata i vendosin kushtet mes vete." Ibn Omeri ose Omeri ka thënë: "Çdo kushtëzim që bie ndesh me Librin e Allahut është i pavlefshëm, edhe në qofshin njëqind kushte."
2735. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Jahjai, e ky nga Amra se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Berira shkoi tek ajo për t'i kërkuar ndihmë në pagesën e lirimit nga robëria. Aishja i tha: “Nëse do, mund t'ua paguaj pronarëve të tu, me kusht që merita e çrobërimit të më takojë mua. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u kthye, ajo ia përmendi ngjarjen, e në atë rast ai i tha: “Blije dhe liroje, sepse merita e çrobërimit i takon atij që e liron robin.” Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ hipi në minber dhe tha: “Ç'është puna e disa njerëzve që kushtëzojnë gjëra që nuk përkojnë me Librin e Allahut? Atij që kushtëzon diçka që nuk përkon me Librin e Allahut, nuk i pranohet, edhe në qofshin njëqind kushte.”