Sahihu i Buhariut — Hadithi 2736
18. Nënkapitulli: Kushtëzimi dhe përjashtimi i lejuar në deklarim, kushtet e njohura tradicionalisht mes njerëzve, si dhe nëse njeriu thotë: "Njëqind pa një, ose: Njëqind pa dy."
Ibn Avni transmeton nga Ibn Sirini se i ka thënë qiramarrësit: "Silli devetë e tua, e, nëse unë nuk të bashkëngjitem në filan ditë, i ke njëqind dërhemë prej meje. Por, Ibn Sirini nuk doli." Shurejhu ka thënë: "Kur dikush i kushtëzon vetes diçka, vullnetarisht, pa ndonjë presion (nga dikush tjetër), obligohet (ta përmbushë kushtin)." Ejubi transmeton nga Ibn Sirini se ka thënë: "Një person shiti ca produkte ushqimore dhe tha: "Nëse nuk arrij ditën e mërkurë, nuk ka tregti mes nesh." Por, ai nuk erdhi. Shurejhu i ka thënë blerësit: "Ti nuk e ke përmbushur kushtin, andaj gjykoj pezullim të tregtisë."
2736. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i ka nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqind pa një. Ai që i mëson ata, do të hyjë në Xhenet.”