Sahihu i Buhariut — Hadithi 2740

1. Nënkapitulli: Testamenti

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Njeriu e lë testamentin e gatshëm me shkrim.” Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ju është urdhëruar që, nëse ndonjërit prej jush i afrohet vdekja dhe ka pasuri për të lënë pas, atëherë në mënyrë të drejtë të lërë testamentin për prindërit dhe farefisin; ky është detyrim për besimtarët e devotshëm. Kush e ndryshon testamentin pasi e ka dëgjuar, ta dijë se gjynahu është i rëndë për ata që e ndryshojnë! Sigurisht që Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha. Kush i trembet ndonjë gabimi apo padrejtësie nga ana e lënësit të testamentit dhe e ndreq atë, ta dijë se nuk bën gjynah. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (Bekare, 180-182)

2740. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai

Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Maliku se Talha ibn Musarrifi tregon: “E pyeta Abdullah ibn Ebu Eufain (Allahu qoftë i kënaqur me të!):
- A ka lënë Pejgamberi ﷺ testament?
- Jo, - më tha ai.
- E si u obliguan njerëzit të lënë testament - ose ka thënë: (Si) u urdhëruan të lënë testament? - e pyeta.
- Ai la testament Librin e Allahut, - iu përgjigj Abdullahu.”1

Referenca: Sahihu i Buhariut 2740

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?