Sahihu i Buhariut — Hadithi 2751
9. Nënkapitulli: Komentimi ajetit: “... pas kryerjes së testamentit të lënë dhe larjes së borxhit...”
Përmendet se Pejgamberi ﷺ i ka dhënë përparësi borxhit kundrejt testamentit. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin...” (Nisa, 58) Pra, kthimi i amanetit është më parësor sesa testamenti vullnetar. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka sadaka, përveçse kur njeriu është i kamur.” Ibn Abasi ka thënë: "Robi nuk lë testament, përveçse me lejen e pronarëve të tij." Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Robi është përgjegjës për pasurinë e zotërisë së vet.”
2751. Nga: Abdullah ibn Omeri
Bishr ibn Muhamed Sihtijaniu na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet.
Udhëheqësi është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e tij.
Burri është kujdestar për familjen e vet, andaj do të japë përgjegjësi për të.
Gruaja është kujdestare për shtëpinë e burrit të vet, andaj do të japë përgjegjësi për të.
Shërbëtori është kujdestar për pasurinë e zotërisë së vet, andaj do të japë përgjegjësi për të.” Mendoj se ka thënë edhe: “Burri është kujdestar për pasurinë e babait të vet.”