Sahihu i Buhariut — Hadithi 2778

33. Nënkapitulli: Lënia e tokës apo pusit vakëf dhe blerja e diçkaje për ta lënë në shfrytëzim të muslimanëve, përfshirë edhe veten

Enesi kishte lënë vakëf një shtëpi, në të cilën, kur vente në Medinë, banonte dhe vetë. Zubejri i kishte lënë sadaka shtëpitë e veta dhe u kishte thënë bijave të tij të shkurorëzuara që të banojnë në to pa i dëmtuar shtëpitë, që të mos vuajnë, por, nëse martohen, nuk kanë hise në to. Ibn Omeri ka rezervuar një pjesë të shtëpisë së Omerit, të lënë vakëf, për banim për nevojtarët e familjes së Abdullahut (vetë Ibn Omerit).

2778. Nga: Othman ibn Afani

Abdani na ka thënë: Më ka rrëfyer babai im, e ky nga Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku se Ebu Abdurrahman Sulemiu tregon: “Kur e rrethuan Othmanin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), u doli jashtë dhe u thirri: “Po ju pyes, për hir të Allahut, e këtë pyetje po ua drejtoj shokëve të Pejgamberit ﷺ: “Vallë, a nuk e dini se i Dërguari i Allahut ﷺ pati thënë: “Kush e blen pusin Ruma, që ta fitojë Xhenetin?”, e unë e pata blerë? A nuk e dini se ai pati thënë: “Kush e financon përgatitjen e ekspeditës së Tebukut, që ta fitojë Xhenetin?”, e unë e pata financuar? Ata ia miratuan fjalët.
Omeri, për vakëfin e vet, ka thënë: “Nuk është mëkat për kujdestarin e vakëfit që të përfitojë prej tij e për të mund të kujdeset vetë ai që e ka lënë vakëf ose dikush tjetër.” Ky (kushtëzimi i Omerit) i përfshin të gjithë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2778

Fjalë të panjohura?