Sahihu i Buhariut — Hadithi 2780
35. Nënkapitulli: Ajetet: "O besimtarë! Kur t’ju afrohet vdekja, me rastin e lënies së testamentit, le të dëshmojnë dy të ndershëm prej jush ose dy të tjerë që nuk janë prej jush, nëse fatkeqësia e vdekjes ju zë ndërsa jeni duke udhëtuar nëpër botë. Mbajini ata pas namazit dhe, nëse dyshoni në ndershmërinë e tyre, le të betohen në Allahun (duke thënë): “Ne nuk do ta shesim betimin me kurrfarë çmimi, edhe nëse është fjala për çfarëdo të afërmi dhe dëshminë që na urdhëron Allahu nuk do ta fshehim, sepse, atëherë do të ishim vërtet keqbërës”. Nëse më pas zbulohet se këta dy dëshmues kanë bërë gjynah, atëherë le të zëvendësohen nga dy të tjerë prej atyre që këta u kanë bërë padrejtësi! Pastaj, dy dëshmitarët e fundit le të betohen në Allahun (duke thënë): “Pa dyshim, dëshmia jonë është më e drejtë se dëshmia e tyre. Ne nuk gënjejmë, sepse përndryshe do të ishim keqbërës”. Kështu është më e lehtë që ata të bëjnë dëshminë e tyre të saktë ose të frikësohen nëse betimet e tyre do të dalin në kundërshtim me betime të tjera. Frikësojuni Allahut dhe dëgjojeni! Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit ngatërrestarë.
2780. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu më ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Ademi, e këtij i ka treguar Ibn Ebu Zaide, e ky nga Muhamed ibn Ebu Kasimi, e ky nga Abdulmeliku, i biri i Seid ibn Xhubejrit, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një pjesëtar i fisit benu sehm mori rrugë së bashku me Temim Dariun dhe Adij ibn Bedain. Në rrugë e sipër pjesëtari i fisit benu sehm vdiq në një krahinë ku nuk kishte muslimanë. Kur u kthyen me pasurinë e mbetur të tij, u humbi një kupë e argjendtë e stolisur me ar. I Dërguari i Allahut ﷺ i obligoi të betohen (se u kishte humbur kupa). Pas një kohe, kupa u gjet në Mekë dhe, ata që e mbanin, thanë: “E kemi blerë prej Temimit dhe Adijit.” Kështu, dy burra nga fisi benu sehm shkuan dhe u betuan se dëshmia e tyre ishte më e fortë se dëshmia e të parëve dhe se kupa i përkiste familjarit të tyre. Ajeti vijues ka zbritur për ta: “O besimtarë! Kur t'ju afrohet vdekja, me rastin e lënies së testamentit, le të dëshmojnë dy të ndershëm prej jush...” (Maide, 106)
Referenca: Sahihu i Buhariut 2780
Fjalë të panjohura?