Sahihu i Buhariut — Hadithi 2783
1. Nënkapitulli: Vlera e xhihadit dhe ekspeditave luftarake
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Tevrat, Ungjill dhe Kuran. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Andaj, gëzojuni kësaj shitjeje! Kjo është fitorja madhështore. (Këta janë) ata që pendohen, e adhurojnë Allahun, e falënderojnë Atë, agjërojnë, përkulen (në namaz), bien në sexhde (gjatë namazit), urdhërojnë vepra të mira, pengojnë të këqijat dhe u përmbahen kufijve të caktuar nga Allahu. Jepu lajmin e mirë besimtarëve!” (Teube, 111-112) Ibn Abasi, në lidhje me fjalën "kufijve" ka thënë: "Është për qëllim bindja (ndaj Allahut)."
2783. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e këtij i ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Mensuri, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pas Çlirimit (të Mekës) nuk ka më hixhret, por ka xhihad dhe nijet. Kur të ftoheni (nga prijësi i muslimanëve) për luftë, përgjigjjuni.”