Sahihu i Buhariut — Hadithi 2785

1. Nënkapitulli: Vlera e xhihadit dhe ekspeditave luftarake

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Tevrat, Ungjill dhe Kuran. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Andaj, gëzojuni kësaj shitjeje! Kjo është fitorja madhështore. (Këta janë) ata që pendohen, e adhurojnë Allahun, e falënderojnë Atë, agjërojnë, përkulen (në namaz), bien në sexhde (gjatë namazit), urdhërojnë vepra të mira, pengojnë të këqijat dhe u përmbahen kufijve të caktuar nga Allahu. Jepu lajmin e mirë besimtarëve!” (Teube, 111-112) Ibn Abasi, në lidhje me fjalën "kufijve" ka thënë: "Është për qëllim bindja (ndaj Allahut)."

2785. Nga: Ebu Hurejra

Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka rrëfyer Afani, e këtij i ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Xhuhade, e këtij i ka rrëfyer Ebu Hasini, e këtij i ka treguar Dhekvani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe e pyeti: “Më trego një vepër që barazohet me xhihadin.”
- “Nuk di asnjë të tillë”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ, - “por, a mundesh që, atëherë kur luftëtari del për xhihad, ti të hysh në xhami e të falesh vazhdimisht, pa pushim, dhe të agjërosh vazhdimisht, pa ushqim?”
- E kush mund ta bëjë këtë? - i tha personi në fjalë.
Ebu Hurejra ka thënë: “Kur kali i muxhahidit, i lidhur me kapistër, hingëllin, atij (pronarit) i shkruhen vepra të mira.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2785

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?