Sahihu i Buhariut — Hadithi 2786
2. Nënkapitulli: Njeriu më i mirë është besimtari që lufton në rrugën e Allahut me jetën dhe pasurinë e tij
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “O besimtarë, a doni t’ju drejtoj në një tregti, e cila ju shpëton nga një dënim i dhembshëm?! Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij dhe luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë dhe trupin tuaj. Kjo, nëse do ta dini, është më mirë për ju. Ai do t’jua falë gabimet tuaja dhe do t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe në banesa të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Kjo është fitorja më e madhe.” (Saf, 10-12)
2786. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ata ibn Jezid Lejthiu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ u pyet:
- O i Dërguari i Allahut, kush është njeriu më i mirë?
- “Një besimtar që lufton në rrugën e Allahut me jetën dhe pasurinë e tij”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Po pastaj? - i thanë ata.
- “Një besimtar që jeton në një zonë malore, që i druhet Allahut dhe që i kursen njerëzit nga sherri i vet”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.”