Sahihu i Buhariut — Hadithi 2799
8. Nënkapitulli: Vlera e atij që rrëzohet duke qenë në rrugën e Allahut dhe vdes; i tilli llogaritet shehid
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... Kush lë shtëpinë e vet, duke u shpërngulur për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ndodh që t’i vijë vdekja, Allahu me siguri do ta shpërblejë...” (Nisa, 100)
2799. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
2799, 2800 - Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Jahjai, e ky nga Muhamed ibn Jahja ibn Habani se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton prej tezes së vet, Umu Haram bint Milhanit, e cila i ka rrëfyer: “Një ditë, Pejgamberi ﷺ fjeti afër meje dhe, për një çast, u zgjua duke buzëqeshur. E pyeta: “Çfarë të bëri të buzëqeshësh?” Ai tha: “M'u shfaqën disa njerëz të umetit tim, të cilët do të kalojnë nëpërmes këtij deti të gjelbër (e në Xhenet do të jenë) sikurse mbretër, të mbështetur nëpër shtretër.” Ajo i tha: “Lute Allahun të më bëjë prej tyre. Pejgamberi ﷺ u lut për të dhe fjeti sërish. Edhe këtë herë veproi sikurse herën e parë. Kështu, Umu Harami i tha: “Lute Allahun të më bëjë prej tyre!” Ai tha: “Ti do të jesh prej të parëve.”
Vërtet, ashtu ndodhi. Umu Harami doli me bashkëshortin e vet, Ubade ibn Samitin, i cili u nis për luftë, në kohën kur muslimanët për herë të parë ia mësynë detit me Muaviun. Por, me t'u kthyer nga lufta, rrugës për në vendlindje, u ndalën në Sham. Asaj ia afruan një kafshë për t'i hipur, e cila e rrëzoi dhe e la të vdekur.”