Sahihu i Buhariut — Hadithi 2805

12. Nënkapitulli: Ajeti: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.”

2805. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Seid Huzai na ka thënë: Na ka treguar Abdulalai, e ky nga Humejdi se ky e ka pyetur Enesin. Po ashtu, Amër ibn Zuraje më ka thënë: Na ka treguar Zijadi, e këtij i ka treguar Humejd Tavili se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Xhaxhai im, Enes ibn Nadri, nuk ka qenë pjesëmarrës në Luftën e Bedrit, andaj ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Në luftën e parë, që i luftove idhujtarët, kam munguar, por, nëse Allahu ma mundëson të jem i pranishëm në luftimin e idhujtarëve, Allahu ka për t'jua bërë të qartë se çfarë kam për të bërë.
Kështu, ditën e Uhudit, kur muslimanët pësuan disfatë, ai tha: “O Allah, kërkoj falje për veprimin e këtyre”, - aludonte në shokët e tij, - “dhe distancohem për veprimin e tyre”, - aludonte në idhujtarët. - Pastaj u vërsul drejt, ku e takoi Sad ibn Muadhin dhe i tha: “O Sad ibn Muadh! Xheneti! Për Allahun, erën e tij po e ndiej këtu, në Uhud.” Sadi thotë: “O i Dërguari i Allahut, nuk arrij ta përshkruaj çfarë bëri.”
Enesi thotë: “E gjetëm me tetëdhjetë e disa plagë në trup, të marra nga goditjet e shpatave, therjet e shtizave dhe majat e shigjetave. E gjetëm të vdekur e të masakruar, saqë nuk e njohu askush, përveç motrës së vet, e cila e njohu nëpërmjet gishtit të tij.”
Enesi thotë: “Kishim bindjen se ajeti vijues ka zbritur për të dhe shembujt që janë si ai: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.” (Ahzab, 23)

Referenca: Sahihu i Buhariut 2805

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?