Sahihu i Buhariut — Hadithi 2832

31. Nënkapitulli: Ajeti: “Nuk janë të njëjtë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre, përveç të paaftëve, me ata që luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Allahu i ngre një shkallë më lart ata që kanë luftuar me pasurinë dhe jetën e tyre kundrejt atyre që kanë ndenjur në shtëpitë e veta. Ai u ka premtuar të gjithëve mirësi, por i ka dalluar ata që luftojnë mbi ata që nuk luftojnë me shpërblim të madh: me shkallë të veçanta, me falje dhe mëshirë. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”

2832. Nga: Zejd ibn Thabiti

Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sad Zuhriu, e këtij i ka treguar Salih ibn Kejsani, e ky nga Ibn Shihabi se Sehël ibn Sad Saidiu tregon: “E pashë Mervan ibn Hakemin të ulur në xhami, andaj shkova dhe u ula me të. Ai na tregoi se Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më diktoi të shkruaj (këtë ajet): “Nuk janë të njëjtë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre me ata që luftojnë në rrugën e Allahut...” Por, teksa Pejgamberi ﷺ po ma diktonte, Ibn Umu Mektumi erdhi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Sikur të mund të luftoja, do ta bëja, - sepse ai ka qenë i verbër.” Kështu, Pejgamberit ﷺ filloi t'i shpallej sërish, ndërsa gjuri i tij ishte mbi kofshën time, i cili u rëndua aq shumë, saqë mendova se do të ma këpusë kofshën. Pasi Pejgamberi ﷺ u çlirua, Allahu i kishte shpallur (shtesën): “... përveç të paaftëve...” (Nisa, 95)

Referenca: Sahihu i Buhariut 2832

Fjalë të panjohura?