Sahihu i Buhariut — Hadithi 2946

102. Nënkapitulli: Ftesa e Pejgamberit ﷺ (drejtuar të tjerëve) në Islam, në pejgamberinë e tij dhe të mos e marrin njëri-tjetrin si zota në vend të Allahut

Ajeti: “Nuk është (e mundur për) një njeri të cilit Allahu i ka dhënë Librin, dijeninë e gjerë dhe pejgamberinë, që t’u thotë njerëzve: "Bëhuni robërit e mi dhe jo të Allahut." Përkundrazi, ai thotë: "Bëhuni robër të ditur të Zotit (që i zbatojnë porositë e Tij), sepse ua keni mësuar Librin të tjerëve dhe e mësoni edhe vetë!” (Ali Imran, 79)

2946. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jam urdhëruar t'i luftoj njerëzit derisa të thonë: “La ilahe il-lallah (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut).” Kush thotë: “La ilahe il-lallah”, e ka siguruar veten dhe pasurinë e tij nga unë, përveç nëse e kërkon e drejta islame, ndërkohë llogaria e tij mbetet tek Allahu.”

E kanë transmetuar edhe Omeri dhe Ibn Omeri nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2946

Fjalë të panjohura?